Takimi politik në Shëngjin, socialistët mbyllin sot diskutimet për objektivat e 2024-ës
Socialistët në qeveri dhe shumicë në parlament vazhdojnë sot ditën e dytë të takimit politik me synim analizën e qeverisjes politike dhe ekzekutive gjatë vitit që u mbyll dhe objektivat e 2024-ës.
Socialistët po bëhen gati për një reformim tjetër të radhëve të partive të tyre me qëllim zgjedhjet politike të vitit 2025.
Parlamenti, aktivizimi i deputetëve në sesionin e ri që nis javën e ardhshme, përballja me opozitën, rritja cilësore e shërbimeve të administratës publike, marrja e më të mirës së portofolave qeveritarë që synojnë realizimin e programit dhe objektivave qeverisëse, që lidhen në një anë me Bashkimin Evropian dhe në anën tjetër me reformat e brendshme, kanë qenë kryefjalë e takimit në Shëngjin.
Rreth mesditës, të mërkurën socialistët pritet të japin për publikun disa nga konkluzionet e takimeve në Shëngjin.
Gjithçka do të mbyllet me një mbledhje vetëm të kabinetit qeveritar, ku do të mësohet më shumë për objektivat e muajve të parë të kabinetit që drejtohet nga Edi Rama.