Talenti shkodran “notarja e vitit”, Viki Tafrruku shkëlqen edhe në Shkup, 10 podiume në 5 muaj
Talentja e notit shkodran Viki Tafrruku vazhdon të shkëlqejë në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Me paraqitjet e saja fantastike, notarja shkodrane është konsideruar si “notarja e vitit”, pasi në vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2024-të ajo është ngjitur plot dhjetë herë në podiumin e fituesit. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë kur Viki e shoqëruar nga trajneri i Vllaznisë, Kolë Shiroka, me të cilin stërvitet prej tre vitesh, ishte pjesëmarrëse në Turneun Ndërkombëtar të Notit “Orion Cup” zhvilluar në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe notari tjetër i Vllaznisë, Skerdi Kroni, i cili konkuroi në disiplinat e 50 metër stil i lirë dhe 50 metër delfi. Por, rezultatin më të mirë e ka arritur Viki Tafrruku, e cila duke konkuruar mes 318 sportisteve pjesëmarrëse, përfaqësuese të 33 ekipeve nga vende të ndryshme europiane dhe më tej, meritoi medaljen e artë në garën e 50 metrave stil shpinë për kategorinë C. Ndërkohë, u rendit e dyta në garën 50 metër stil i lirë per kategorine C. Vend të dytë dhe medalje argjendti meritoi Tafrruku edhe në garën e dytë për kategorinë OPEN. Kujtojmë që Kategoria OPEN përfshin tre rezultatet më të mira të garës. Rezultatet në fjalë janë një produkt i punës profesionale në proçesin stërvitor të dyshes Kolë Shiroka-Viki Tafrruku, të cilat garantojnë të mbërrijë në nivelet më të larta të notit shqiptar e më tej.