Tano Banushi personifikim i humorit/ 97-vjet më parë do ti vinte Shkodrës një nga emblemat e saj
Ylli më i shndritshëm në qiellin e humorit shkodran e shqiptar. Në këtë 97- vjetor të lindjes së tij, kështu mund të përcaktohet me një fjali Tano Banushi, artist i popullit e mjeshtër i madh. Rolet e tij, në skenë dhe në ekran, sot mund të konsiderohen gurë të çmuar kilometrikë në humorin shqiptar, përmes interpretimeve që rrallë mund të arrihen.
I ndarë nga kjo jetë në vitin 1993, Tano Banushi vazhdon të jetë i pranishëm me artin e tij në jetët tona, duke u rreshtuar në panteonin e emrave të mëdhenj të kulturës shqiptare.
Athanas Tano Banushi, u lind me 4 shkurt 1927 në Shkodër. Përreth 45 vite, i dhuroi humor e të qeshura publikut mbarëshqiptar, përmes krijimit dhe interpretimit të mbi 1000 roleve në skenën e teatrit “Migjeni”, ku ai nisi jetën e tij artistike.
Tano u bë pjesë e Estradës Profesioniste të Shkodrës që me krijimin e saj, ku me talentin, punën e përkushtimin e tij, spikati për më shumë se 4 dekada. E veçanta e tij ishte aftësia për të interpretuar tragjedi, komedi, skeç, parodi, intermexo, të gjitha brenda një personazhi apo fytyre që tregonte para spektatorit.
Tano Banushi shkëlqeu në të gjitha zhanret e humorit, vlerësohet jo vetëm si aktor i madh por u shfaq edhe si kitarist e madje prestigjiator. Diva vite më parë, familja Banushi, i dhuroi Teatrit “Migjeni” një visar të paçmuar, arkivën e mjeshtrit të madh, e cila tashmë duhet të zbulohet sa më shpejt për publikun, për të njohur më të plota dimensionet e Tano Banushit.