Tavë nga sofra e Gjakovës – Traditë dhe shije
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
4-5 thela mish viçi
Dy kunguj të njomë
Dy patëllxhanë mesatarë
2-3 karrota
3 speca jeshilë
1 spec djegës
4-5 kokrra qepë
1 kg domate
6-7 thelpinj hudhra
Kripë
Piper i zi
Piper i kuq
Majdanoz i freskët
4-5 lugë gjelle vaj ulliri
Përgatitja
Si fillim pastrojmë copat e mishit dhe i vendosim në një tenxhere me ujë. I vendosim në zjarr dhe i lëmë të ziejnë sa të marrin një valë.
Ndërkohë nisim të presim me rradhë të gjithë perimet.
Grijmë qepët përmes një thike të mprehtë dhe i vendosim në një tjetër tenxhere, shtojmë vaj ulliri dhe i vendosim në zjarr duke i kaurdisur.
Në vijim grijmë hollë specin djegës si dhe specat jeshilë.
I shtojmë në tenxheren ku po kaurdisim qepët.
Më pas shtojmë karrotat e grira në kubikë dhe i kaurdisim të gjitha bashkë.
Shtojmë kungulleshkat e prera në kubikë si dhe patëllxhanët duke i kaurdisur të gjithë bashkë derisa volumi i tyre të bjerë.
Ndërkohë, domatet e grira, i kriposim pak, u hedhim pak vaj ulliri, hudhrat, pak piper të zi dhe të kuq, majdanoz të grirë hollë, i vendosim në një tavë dhe i fusim në furrë duke i trazuar herë pas here.
Domatet i lëmë në furrë përreth 30 minuta.
Më pas, perimet i shtojmë në tavën me domate dhe i përziejmë të gjitha bashkë, e provojmë për kripë nëse është në masën e duhur.
Heqim tenxheren e mishit nga zjarri dhe copat e mishit i vendosim në tavë.
Tavës i shtojmë një gotë me lëngun e mishit dhe e fusim të piqet në furrë. Pas pjekjes mund t’i shtoni edhe erëza të tjera të freskëta sipas preferencës.