Të dielen starton superliga shqiptare, kjo javë do të luhet e ndarë në 2 ditë, të dielen dhe të hënen
Jemi vetëm 5 ditë larg startit të Kategorisë Superiore. Ditën e dielë do të ngre siparin java e parë e Kategorisë Superiore, ku duele mjaft interesante janë në program.
Ky sezon premton spektakël, ndërsa që në javën e parë kemi përplasje pretendentësh. Kjo javë do të luhet e ndarë në 2 ditë, ku 2 sfida do të zhvillohen të dielën dhe 3 të tjerat ditën e hënë.
Kështu, gjithçka do të startojë me sfidën mes Dinamos dhe Egnatias, takim që do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 20:00. Paralelisht do të luhet edhe në “Niko Dovana”, ku Teuta do të presë ekipin e Bylisit.
Ndërkohë, ditën e hënë, gjithçka do të nisë me sfidën mes Laçit dhe Tiranës. Përballje kjo që do të luhet në Laç në orën 17:00. Vëmendja më e madhe do të jetë të përballja mes Partizanit dhe Vllaznisë.
Në “Arenën e Demave” do të përplasin “brirët” mes tyre në orën 20:00, ku të dyja ekipet kërkojnë fitoren për ta nisur sezonin me këmbën e mbarë. Gjithashtu paralelisht me duelin në kryeqytet do të luhet edhe në Korçë, ku Skënderbeu pret Elbasanin.