Të enjten, “Lule bore” për Gjon Simonin. Mjeshtri Eno Koço: Një koncert për publikun e gjerë
Për 100-vjetorin e lindjes së Simon Gjonit, orkestra simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Mjeshtrit dhe “Nderit të Kombit” Eno Koço, do të mbajë një koncert jubilar më 26 tetor.
Gjoni është kompozitori i shquar i këngëve qytetare shkodrane, si “Lule bore”, “Sy larushes”, “Sytë e tu si drita”, “Fyelli i çobanit”, “Nëna dhe çika” etj.
Mjeshtri Koço tha në një intervistë për Radio Tirana 1 në emisionin “Kape ditën” se ai ka qenë student i Gjonit.
“Simonin e kam pasur mësues më shumë se 50 vjet më parë. Atëherë fillova të punoja violinist në Operë. Unë isha studenti i tij i parë dhe i fundit. Çfarë unë kisha fituar për 16 vjet, ai m’i shpalosi,” tha mjeshtri Koço.
Koncerti i së premtes do të ketë artistë të njohur.
“Gjithë këtë koncert e ka ndërtuar i biri, Andis Gjoni, gati me vetëmohim. Ai e ka menduar si një koncert për publikun e gjerë. Simoni ka qenë kompozitor i valleve dhe poemave simfonike, por ky koncert bazohet te këngët. As unë vetë nuk e dija që ai kishte kaq shumë këngë të bukura. Pjesa e parë do të jetë me këngë lirike. Do të ketë interpretuese si Inva Mula, Eva Golemi, Armando Likaj etj. Ndërsa pjesa në pjesën e dytë me bateritë ka pjesëmarrës si Frederik Ndoci dhe artistët e pëlqyer sot,” thotë dirigjenti i njohur.
Për mjeshtrin e muzikës, ky rikthimin i tij në orkestrën e RTSH-së është emocionues.
“Unë jam rritur me këtë orkestër. Si rregull, muzikantët e orkestrës nuk i duan shumë dirigjentët. Kam inçizime që kemi bërë nga 1979 deri në 2022. Janë 45 vjet me orkestrën e radios. Ka të mira dhe jo të mira. Nuk janë ekzemplare, por janë histori. Është një epokë të cilën po e regjistroj në 18 CD,” u shprehet mjeshtri.
Ai dha edhe një mesazh për të rinjtë që të ndjekin prirjen e tyre në jetë.
“Kam pasur një jetë specifike, të vështirë. Edhe adoleshenca ka qenë jo e lehtë. Por më vonë jeta të kalit, vështirësitë të forcojnë dhe unë e shijoj pjesën e jetës ku jam tani: në pension. Vetëm puna të nxjerr në dritë. Duhet më shumë punë sesa talent,” tha dirigjenti Koço.
Koncerti i së premtes mban emrin “Lule bore” si kënga e Gjonit dhe himn i muzikës lirike shqiptare.
Eventi do të zhvillohet më 26 tetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe në të marrin pjesë këngëtarë të njohur operistikë dhe lirikë.