Të fundit në Europë në të ardhura, por për udhëtime shpenzojmë sa vendet e BE-së
Shqiptarët që udhëtojnë jashtë vendit shpenzojnë 1040 dollarë në vit. Organizata Botërore e Turizmit thotë se për vitin 2023 janë shpenzuar jashtë vendit 2.5 miliardë dollarë. Por shqiptarët u renditën sërish të fundit në të ardhurat për frymë në Europë.
Ishte konfirmuar më parë nga Bilanci i Pagesave i Bankës së Shqipërisë që shqiptarët, kur udhëtojnë jashtë, shpenzojnë më shumë edhe se shumë nga shtetasit e vendeve të Bashkimit Europian.
Së fundi e konfirmon edhe Organizata Botërore e Turizmit, që thotë se për vitin 2023 shqiptarët harxhuar jashtë vendit 2,5 miliardë dollarë ose më shumë se 1000 dollarë për çdo njërin që ka udhëtuar jashtë vendit.
Edhe pse listohemi të fundit në Europë për të ardhurat për frymë, konkurrojmë me shtetet që i kanë të ardhurat për frymë shumë më të larta sesa ne.
Kjo është lista e vizitorëve dhe shpenzimi mesatar vjetor:
Italianët – 580 dollarë
Francezët – 1721 dollarë
Spanjollët – 578 dollarë
Grekët – 278 dollarë
Shqiptarët – 1040 dollarë
Serbët – 495 dollarë
Malazezët – 162 dollarë
Bosnjë-Hercegovinasit – 124 dollarë
Turqit – 93 dollarë
Islandezët- 4200 dollarë
Norvegjezët – 3300 dollarë
Zviceranët – 2700 dollarë
Irlandezët – 2000 dollarë
Danezët- 1800 dollarë
Vitin e kaluar, Shqipërinë e vizituan rreth 10,2 milionë shtetas të huaj, sipas të dhënave të INSTAT, në rritje me 35% krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë vlerësohet se turistët e huaj shpenzuan gjithsej rreth 4,2 miliardë euro në Shqipëri në vitin 2023. Shpenzimet e turistëve të huaj u rritën me 47% krahasuar me vitin 2022.
Mesatarisht shpenzimet e turistëve llogariten rreth 412 euro për person. Ndërsa, Konsumi final i popullatës në vitin 2023, sipas të dhënave të INSTAT, është mbi 12 miliardë euro. Trendi vijon edhe në 2024.
Të huajt sollën para rekord në T I 2024, por edhe shqiptarët nuk u kursyen jashtë
Ekonomisë së vendit i mbetën 267 milionë euro neto nga turizmi në tremujorin e parë të këtij viti, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave që raportohen nga Banka e Shqipërisë. Të huajt shpenzuan 788 milionë euro në tre muaj në Shqipëri, me shpenzim mesatar për person 513 euro. Shqiptarët lanë jashtë 521 milionë euro, me rritje prej 20% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 300 Euro për person, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi