Lajme

“Të gjithë bashkë kundër fatkeqësive natyrore”, fillon stërvitja e madhe në Shkodër

Filloi të martën në Shkodër stërvitja ndërkombëtare “Flood North Albania”, e cila do të zgjasë deri me datë 11 prill. Një stërvitje e 13 partnerëve që vijnë nga rajoni i Ballkanit, por jo vetëm, ajo ka si objektiv të testojë përgatitjen e forcave të mbrojtjes civile në rast përmbytjesh, gatishmërinë e institucioneve vendase si dhe koordinimin mes vendit pritës dhe ndihmës që vjen nga vendet e tjera. 

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi në ceremoninë e çeljes se kësaj stërvitjeje se “kjo është një ngjarje e rëndësishme për të testuar bashkëpunimin e shumë shteteve në raste përmbytjesh, për t’iu kundërvënë fatkeqësive të natyrës në mënyrë të koordinuar”.

Ky projekt është financuar nga DG ECHO, Bashkimi Europian dhe ka filluar që në janar të vitit 2024. Projekti përfundon në dhjetor 2025. Drejtuesi i këtij projekti është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile të Shqipërisë dhe në këtë partneritet janë përfshirë, përveç Shqipërisë, edhe Mali i Zi, Kosova, Greqia, Italia, Qiproja, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

“Kemi në terren pjesëmarrje të mbi 450 personave dhe 60 mjeteve, përfshirë motobarkat, motopompat me kapacitet të lartë, dronët, ambulancat, kamionët, një dëshmi reale e kontributit dhe solidaritetit të secilit. Duke punuar së bashku, do të mund të zhvillojmë aftësi të reja dhe të mbështesim njëri-tjetrin në përballimin e sfidave që mund të sjellin emergjencat, si dhe përmirësimin e gatishmërisë dhe aftësisë së reagimit ndaj fatkeqësive natyrore. Në përfundim, dua të theksoj se kjo stërvitje është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar nga njëri-tjetri, për të krijuar lidhje të reja me ekipe nga rajone të ndryshme dhe për të ndarë eksperienca të vlefshme, duke ndihmuar kështu në krijimin e një rrjeti më të fortë dhe më të efektshëm në nivel lokal, rajonal dhe evropian”, nënvizoi Çako.

Në katër ditët e stërvitjes do të zhvillohen skenarë të ndryshëm dhe forcat pjesëmarrëse do të simulojnë ngjarje të vërteta, ku ata i vijnë në ndihmë popullsisë në zonat e përmbytura. 

Gjatë këtyre simulimeve, përveç forcave zjarrfikëse të përfshira nga vendet partnere, janë përfshirë edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Shkodrës, forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë, forcat e Policisë së Rendit, Kryqi i Kuq, Urgjenca Mjekësore, si dhe forca vullnetare.

Që nga korriku i vitit 2023, Shqipëria është pjesë me të drejta të plota në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile. Në këtë Mekanizëm janë të përfshira pjesa më e madhe e vendeve të kontinentit dhe në raste të emergjencave civile anëtarët e tij japin ndihmë të menjëhershme. Në këtë kuadër, edhe Shqipëria ka dhënë ndihmë me dërgimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në tërmetin e ndodhur në Turqi në fund të 2022, si dhe dërgimin e zjarrfikësve në zjarret masive që përfshinë disa zona në Greqi, përgjatë verës së vitit të kaluar.

Blerti Delija

Recent Posts

Kombëtarja e femrave, fitore me përmbysje

Kombëtarja shqiptare e femrave ka arritur një tjetër fitore të madhe, duke mposhtur për herë…

2 hours ago

Interi triumfon në “Allianz Arena”

Inter mundi Bayern Munich 1-2 në “Allianz Arena” në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të…

2 hours ago

Rice dhuron spektakël, Arsenali “gjunjëzon” Realin

Ndeshja e parë çerekfinale e Champions League kundër Real Madrid shkon për Arsenalin. Topçinjtë e…

2 hours ago

Moti- Dita e sotme me kthjellime dhe vranësira, temperaturat nuk ndryshojnë

Për ditën e sotme (9 prill) mbi vendin tonë pritet depërtimi gradual i masave ajrore…

2 hours ago

Formacionet e mundshme/ Arsenal-R.Madrid, Arteta me Merinon në sulm, spanjollët rigjejnë Kurtuanë

Sot në mbrëmje Arsenal dhe Real Madrid i japin jetë takimit të parë të vlefshëm…

18 hours ago

Punimet në Bulevardin “Skënderbeu”- Bashkia njofton për bllokimin e rrugës për 5 ditë

Të nderuar qytetarë! Nga data 9 prill deri më 13 prill, janë planifikuar punime në…

18 hours ago