Të sëmurë dhe të braktisur nga familja / Preçi: Çdo ditë 30- 40 vizita ambulatore në qendrën e shëndetit mendor
Jo vetëm të sëmurë, por edhe të braktisur nga familja! Kjo është drama që po shoqëron dhjetëra familje në rajonin verior. Shqetësimi erdhi nga neuropsikiatri Gjon Preçi në ditën ndërkombëtare të shëndetit mendor. Nëse institucionet do të punojnë 364 ditët e vitit, 10 tetori do të ishte ditë feste..Në këtë mënyrë iu drejtua zinxhirit shëndetësor neuropsikiatri teksa tha se situata në vendin tonë e veçanërisht në veri është problematike ku të sëmurët rriten në numër nga dita në ditë. Preçi tha se qendra e shëndetit mendor, e vetmja në veri, çdo ditë pret 30-40 vizita ambulatore, shifër e cila vështirësisht përballohet. Preçi vuri theksin tek zonat rurale të cilat e kanë të vështirë aksesin pranë të vetmes qendër ndaj nevoja për një tjetër qendër është domosdoshmëri. Dita e shëndetit mendor u shoqërua me aktivitet sensibilizues ku në fokus ishin fëmijët me aftësi të veçanta të cilët sollën punimet e tyre në panairin e vendosur në sheshin përpara Bashkisë Shkodër.