Të shtëna me armë zjarri në veri të Kosovës, vritet një polic, plagoset një tjetër
- Kurti: Sulm terrorist i organizuar me mbështetje nga Beogradi
- Osmani: Agresion i hapur i Serbisë. Presim mbështetjen e aleatëve
- Basha: Autoritetet e Beogradit të dënojnë dhe të distancohen nga ngjarja
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në veri të Kosovës në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator), ku për pasojë ka mbetur i vdekur një polic, ndërsa është plagosur një tjetër. Polici i vrarë mbante gradën rreshter, ndërsa i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.
Policia e Kosovës bën me dije se ngjarja ka ndodhur në Mitrovicë Veri, në hyrje të fshatit Banjskë ku persona të armatosur kishin bllokuar rrugën me kamionë dhe më pas kanë nisur të qëllojnë me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës.
“Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.
Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, njofton Policia.