Teatri Kombëtar i Operas e Baletit sjell në versionin për fëmijë, operën “La Boheme”
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit njoftoi se shfaqja e datës 20 prill “La Boheme”, iu kushtohet të gjithë fëmijëve të spektrit autik, por jo vetëm, si sensibilizim i TKOB-së në muajin e ndërgjegjësimit ndaj autizmit.
Opera “La Boheme” na çon prapa në kohë, Paris, 1840, te dy të dashuruar me një fund tragjik. Vepra e Xhakomo Puçinit bazohet në novelën e shkrimtarit Henri Murger, “Scènes de la vie de bohème”.
“La Boheme” është një operë me katër akte, me libret të Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica.
Kësaj here kjo opera është vënë në skenën e TKOB nga regjisorja Ada Gurra, dirigjenti Jacopo Sipari, me kostumografi të Ardi Asllanit dhe skenografi të Renold Sulës. Dirigjent kori, i mirënjohuri Dritan Lumshi, ndërsa Korin e Zërave të Bardhë e drejton Sonila Baboçi.
Duke qenë se opera “La Boheme” është një prej operave më të suksesshme dhe më popullore të të gjitha kohëve, TKOB fton miqtë e vegjël ta ndjekin këtë shfaqje të përshtatur për fëmijë e familje, më 20 prill, në ora 12:00.