Teherani: Do përgjigjemi edhe më ashpër për t’u mbrojtur, Izraeli nis sanksionet ndaj programit raketor iranian
Presidenti iranian Ebrahim Raisi tha se vendi i tij do të reagojë ndaj veprimit më të vogël kundër interesave të Iranit me një “përgjigje të ashpër, të gjerë dhe të dhimbshme”.
Në një bisedë telefonike mbrëmë me emirin e Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, Raisi përsëriti se Irani po vepronte në “vetëmbrojtje”, duke shtuar se kishte shënjestruar bazat izraelite që thoshte se ishin përdorur për të kryer një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në kryeqyteti sirian Damasku.
Shefi i shtabit ushtarak të Izraelit, Herzi Halevi, tha të hënën se sulmet e Iranit gjatë fundjavës “do të përballen me një përgjigje”.
Ndërkaq, Izraeli duket më pak i izoluar pasi vëmendja është larguar nga Gaza dhe do të shpresojë të përfitojë nga kjo për të ushtruar presion ndërkombëtar mbi Iranin.
Ministri i Jashtëm i Izraelit tha se ai u kishte shkruar 32 vendeve duke kërkuar sanksione të mëtejshme ndaj Iranit. Kjo përfshin, sipas tij, sanksione ndaj programit raketor të Iranit.
Një seri sanksionesh të OKB-së mbi programin raketor të Iranit skadoi tetorin e kaluar, sepse ato kishin qenë të lidhura me një marrëveshje më të gjerë mbi programin bërthamor të Iranit. Vendet duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe BE-në kanë mbajtur tashmë sanksione dhe kanë shtuar të reja.
Ministri i Jashtëm i Izraelit bëri thirrje gjithashtu që Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të shpallet organizatë terroriste. Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë bërë këtë, por Britania e Madhe jo.
Debati nëse duhet ndjekur kjo rrugë ka qenë i vështirë dhe përçarës brenda qeverisë. Disa favorizojnë një ndalim dhe të tjerë e kundërshtojnë atë sepse mendojnë se IRGC është pjesë e shtetit dhe jo një organizatë terroriste dhe një ndalim do ta çonte Iranin në mbylljen e kanaleve të komunikimit midis dy vendeve.