Teknikat e hershme të fotografimit / Në “Marubi” ishte i ftuar specialisti i procesit të kolodiumit të lëngshëm Zeitler
Teknika e parë e fotografimit, me të cilën punonte dikur mjeshtri Pietro Marubbi iu prezantua të pranishmëve në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” përmes të ftuarit të saj Maximilian Zeitler, fotograf dhe ekspert i proceseve historike të fotografisë.
Në kuadër të punëtorisë që zgjat tre ditë, fokusi do të jetë në rikthimin pas më shumë se 170 vitesh të teknikës së kolodiumit të lëngshëm në Shkodër.
“Teknika kolodiumit është shumë e rëndësishme sa i përket rolit të saj në përhapjen e fotografisë dhe zhvillimit të saj nga fotografët. Nuk është një proçes aspak i lehtë, madje mund të them i vështirë dhe shumë njerëz nuk dinë shumë rreth saj ndonëse përbën teknikën fillestare të realizimit të fotografive. Qëllimi im është t’u tregoj të interesuarve se si bëheshin fotografitë dikur. Duhet thënë se imazhet e prodhuara në këtë mënyrë zotërojnë një bukuri të pashembullt dhe një cilësi shumë të mirë”.
Fotografi Maximilian Zeitler ka lindur në Mynih në vitin 1987, veçse fotograf ai është edhe specialist në mësimdhënien e proçeseve historike të fotografisë. Ai ka hapur disa ekspozita vetjake si dhe ka qenë pjesëmarrës në disa ekspozita kolektive. Në 2019 ai u shpall fitues i çmimit të parë për fotografinë e peizazhit dhe arkitekturës të realizuar në teknikën e kolodiumit modern.