Teleskopi “James Webb” dërgon imazhe të jashtëzakonshme dy vjet pas arritjes në hapësirë
Më 24 janar u mbushën dy vjet nga arritja e teleskopit hapësinor “James Webb” në destinacionin e parashikuar, 1.6 milionë milje larg tokës. Që nga ajo kohë, teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm në botë i ka dërguar tokës disa imazhe mahnitëse të hapësirës, të cilat po analizohen nga shkencëtarë dhe studiues të hapësirës.
Teleskopi Hapësinor i NASA-s, “James Webb”, observatori astronomik më i madh dhe më i fuqishëm i lëshuar ndonjëherë në hapësirë, ka bërë fotografi të bukurisë hapësinore gjatë dy viteve të fundit.
Teleskopi u lëshua në hapësirë nga Guiana Franceze në bregun verilindor të Amerikës së Jugut mëngjesin e Krishtlindjeve më 25 dhjetor 2021.
Observatori, prodhimi i të cilit kushtoi 10 miliardë dollarësh u dërgua në një destinacion prej 1.6 milionë kilometrash, ose mbi katër herë më larg se distanca mes tokës dhe hënës.
Më 8 janar të vitit 2022, teleskopi “James Webb” hapi pasqyrën e tij të madhe.
Pjesa e fundit e pasqyrës me diametër 6.5 metra u hap me komandën e kontrollorëve të fluturimit në tokë, duke përfunduar shpalosjen e teleskopit hapësinor “James Webb”.
“Unë jam i emocionuar për këtë. Ky është një moment historik i mahnitshëm. Ne e shohim këtë model të bukur atje në qiell tani”, tha Thomas Zurbuchen, shef i misioneve shkencore të NASA-s.
“James Webb” është më i fuqishëm se teleskopi hapësinor “Hubble” dhe do të skanojë hapësirën në kërkim të lëvizjes së dritës nga yjet dhe galaktikat e para të formuara 13.7 miliardë vjet më parë.
Për ta arritur këtë, NASA e pajisi teleskopin “James Webb” me pasqyrën më të madhe dhe më të sofistikuar të lëshuar ndonjëherë në hapësirë, që shkencëtarët e quajnë “syri i artë”.
“James Webb” është aq i madh sa duhej të palosej në stilin japonez origami për t’u futur në raketën, që u lëshua nga Amerika e Jugut.
Operacioni më i rrezikshëm ndodhi në javën e parë në hapësirë, kur mburoja e diellit në madhësinë e një fushe tenisi u shpalos, duke siguruar hije për pasqyrën dhe detektorët e dritës infra të kuqe.
Kjo pasqyrë është bërë nga beriliumi, një metal i lehtë por i fortë dhe rezistent ndaj të ftohtit.
Secili nga 18 segmentet e pasqyrës është i veshur me një shtresë ultra të hollë ari, shumë reflektuese e dritës infra të kuqe.
Teleskopi hapësinor më i madh dhe më i fuqishëm në botë mbërriti në pikën e tij të vëzhgimit 1.6 milionë kilometra nga Toka më 24 janar 2022.
Që nga ajo kohë, teleskopi “James Webb” ka dërguar në tokë disa imazhe mahnitëse të hapësirës, të cilat po analizohen nga shkencëtarë dhe studiues të hapësirës./ VOA