“Tempulli 2”, lirohen 6 të arrestuarit/Gjykata vendosi “Detyrim Paraqitje” për njërin prej tyre dhe “Arrest në shtepi” për 5 të tjerët
6 personat e arrestuar në Lezhë në kuadër të Megaoperacionit policor mbarëkombëtar i koduar “Tempulli 2”, u liruan nga qelia. Gjykata e Lezhës vendosi të ndryshojë masat e sigurisë “Arrest në Burg” të dhënë me 18 janar në mungesë ndaj tyre, duke vendosur “Detyrim Paraqitje” për njërin prej tyre dhe “Arrest në Shtëpi” për 5 personat e tjerë të arrestuar, të cilët janë vënë nën akuzë për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.
Vendimi u dha nga gjyqtari Lirim Bulica, i cili pasi dëgjoi palët ndryshoi masat e sigurimit për personat e arrestuar me bujë në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Tempulli 2”, pjesë e të cilit ishte dhe Qarku i Lezhës. Po në kuadër të këtij operacioni “Tempulli”, në muajt dhjetor dhe janar, janë arrestuar në flagranë 14 shtetas dhe proceduar penalisht në gjëndje të lirë 10 të tjerë në Lezhë.
Ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar, 6 kg lëndë narkotike kanabis sativa, 50 doza kokainë, 42 aparatë celularë, 3500 euro, peshore elektronike dhe grirëse për lëndë narkotike.Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë bën me dije se operacioni “Tempulli 2”, vijon në të gjithë territorin dhe nuk do të ketë tolerime ndaj shkelesve të ligjit.