Tensione në Kuvend, Bardhi e Noka të përjashtuar hyjnë brenda e bllokojnë seancën me zhurmues. Protestë jashtë Parlamentit
Sikurse edhe seancat e kaluara plenare, edhe kjo e kësaj të hëne (5 shkurt) nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta. Tensionet u regjistruan që pak para nisjes së seancës, ku deputetë e përjashtuar të opozitës, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha tentuan të futen në seancë. Deputetët Flamur Noka, Gazment Bardhi, Ervin Salianji, Dashnor Sula e Albana Vokshi u përplasën me Gardën, ndërsa akuzuan për “diktaturë”.
Pas disa minutash, Bardhi dhe Sula mundën të futen në seancë, duke iu drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla me fjalën “turp”. Ata vijuan me të njëjtin skenar sikurse edhe javët e kaluara duke vendosur zhurmues dhe duke i rënë bilbilave. Kjo bëri që Nikolla të ndërpriste seancën.
Ndërkohë jashtë parlamentit vijon protesta e thirrur nga opozita.
Kujtojmë se janë 19 deputetët të opozitës të përjashtuar pas tentativës së tyre për të bllokuar seancën e kaluar plenare. Është përjashtuar me 20 ditë deputeti Ervin Salianji dhe me nga 10 ditë për 18 deputetë të tjerë; Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmon Spaho, Oerd Bylykbashi, Ervin Salianji, Saimir Korreshi, Kasëm Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhafa, Lodovik Hasani dhe Luan Baçi.