Tensionet Kosovë-Serbi/ Rama zbulon fjalët e Rutes në drekën informale ndaj Bërnabiç dhe Kurtit
Tensionet mes Kosovës e Serbisë kanë qenë temë diskutimi në bisedën informale në drekën e punës së shtruar dje (16 tetor) për liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se kryeministri i Holandës Mark Rute i është drejtuar homologes së Serbisë Ana Bërnabiç dhe atij të Kosovës, Albin Kurti duke u thënë se “mos e harroni kurrë se një kompromis, më shumë se çdo të fitosh, është çfarë nuk duhet të humbasësh”.
Kryeministri theksoi se plani franko-gjerman është një oportunitet i artë për Kosovën dhe kjo e fundit duhet ta firmosë unilateralisht dhe ta ekzekutojë të gjithë marrëveshjen dhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë.
“Dje kemi patur një bisedë të hapur informale në drekën e punës përfshi dhe dy kryeministrat Kosovë-Serbi dhe dua të sjell këtu i paautorizuar, një fjalë të thënë nga Rutte ku ju drejtua të dyve: mos e harroni kurrë se një kompromis, më shumë se çdo të fitosh, është çfarë nuk duhet të humbasësh.
Sot Kosova është futur vetë në një kurth që ja ka bërë vetes por s’ka qenë kurrë më mirë, do ishte dramatike të humbiste një të drejtë të fituar për të lëvizur lirisht në BE, dhe ndërkohë të dyja palët kanë në tavolinë një plan që është gjeja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. E solla dje shembull në takim, Klinton kur ishte këtu në verë tha: thuaju miqve të mi në Prishtinë si i ndodhi Palestinës.
Sot po ju them unë: shikoni ku është Palestina, një vend që nuk është shkatërruar nga Izraeli, por klasa e vetë politike dhe pengmarrësit e vetë. Izraeli i përdor raketat për të mbrojtur popullin e vetë, ndërsa Hamasi përdor popullin e vetë për të mbrojtur raketat.
Unë jam i bindur se e mira e madhe e Kosovës është jo që të ulet në tavolinë, por ta firmosë unilateralisht dhe ta ekzekutojë të gjithë marrëveshjen dhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë dhe pastaj t’ia lërë në dorë BE-së dhe t’i thotë: “Këto ishin obligimet e planit franko-gjerman për ne? Ne i kemi dokumente dhe do i zbatojmë. Mjafton që me BE-në ne të hymë në një proces ku njohja reciproke me vendet mos njohëse të BE-së të fillojë të funksionojë.
E tmerrshme të mendosh se ky është oportunitet i artë dhe Kosova ka në krahë aleatët që duhet të ketë
Duhet ti dedikohet rrugës së vetë europiane duke u sjellë si një tjetër europë në Ballkan”, tha Rama në konferencën e përbashkët të mbajtur me Presidentin e Francës Emanuel Makron.