Tensionet në Kuvend, PS thirrje demokratëve: Rikthehuni në rrugën e arsyes! Bardhi: S’ka dialog me dhunuesit
Partia Socialiste i bëri thirrje të mërkurën demokratëve që t’i kthehen “rrugës së arsyes e dialogut”, pasi tensionet e vazhdueshme po pengojnë punimet e Kuvendit.
Shkak për mosmarrëveshje gjatë ditës u bë kërkesa e disa prej deputetëve të përjashtuar të opozitës që të merrnin pjesë në seancën e Komisionit Hetimor për “Sterilizimin”, ku janë anëtarë.
Mbledhja u zhvillua me tone të larta mes kryetares Albana Vokshi dhe zëvendësit të saj, socialistit Plarent Ndreca. Shkëmbimet e ashpra verbale përshkallëzuan me hedhjen e përsëritur të mikrofonit të z. Ndreca nga kryetarja demokrate, me bindjen se po merrte kompetencat e saj në drejtimin e Komisionit.
“Pas përpjekjeve të dhunshme të PD për të penguar punimet e seancës plenare dhe sulmet me molotov ndaj institucioneve, sot është tejkaluar çdo kufi me cenimin fizik të deputetes së mazhorancës, Milva Ekonomi, nga deputetët e përjashtuar të opozitës, Xhelal Mziu dhe Ina Zhupa. Opozita po tenton të sjellë krizën e vet edhe në Kuvend. Dhuna ndaj deputetëve, stafit të Kuvendit, Gardës apo Policisë është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme. I bëjmë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të rikthehen në rrugën e arsyes dhe të dialogut. Dhuna dhe përpjekjet për të bllokuar punën e Kuvendit nuk i shërbejnë as qytetarëve, as demokracisë,” reagoi grupi parlamentar i PS me një deklaratë për shtyp.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi iu përgjigj Peleshit duke thënë se “me dhunuesit nuk mund të ketë dialog”. Ai thekson e opozita do të vijojë me të njëjtin qëndrim duke e konsideruar rezistencën, sipas tij, si të vetmin mjet që i ka mbetur deputetëve të opozitës.
“Kurrë s’ka ndodhur që dhunuesit ta shesin veten si viktima; trafikantët si shenjtor e denoncuesit si kriminel; të korruptuarit si deputetë të nderuar dhe deputetët e nderuar si të padenjë për të ushtruar mandatin e tyre; apo kriminelët si shtetar që po bëjnë shtet. Urdhërojnë Gardën të dhunojnë opozitën dhe keqpërdorin deputetet e PS për të provokuar kolegët e tyre që janë në të drejtën e vet për tu mos u penguar pa ligj të ushtrojnë mandatin që i kanë dhënë qytetarët, dhe më pas thonë se duhet dialog.
Me dhunuesit nuk mund të ketë dialog, me antiligjin nuk mund të bisedosh, me provokuesit nuk mund të arsyetosh. Rezistenca dhe mosnënshtrimi është i vetmi mjet që i ka mbetur deputetëve të opozitës. Apeloj çdo koleg të mazhorancës që privatisht e cilëson Edi Ramën si Saddam Hussein shqiptar, që të mos keqpërdoret kundër deputetëve të opozitës dhe të mos i nënshtrohen metodave autoritare të Edi Ramës kundër opozitës. Në të kundërt, shumë shpejt do jetë radha e tyre të jenë viktima të Saddam Hussein shqiptar – Edi Ramës. Prej kohësh Edi Rama dhe metodat e tij antidemokratike kundër qytetarëve dhe opozitës janë shndërruar në një rrezik kombëtar”, shkruan Bardhi.