Tensionet në Lindjen e Mesme, Hasani: Kthyem 28 shqiptarë, po punojmë edhe për dy të tjerë
Tensioni i situatës në Lindjen e Mesme, pas sulmit iranian ndaj Izraelit, bëri që hapësira ajrore e Jordanisë, Irakut dhe Egjiptit të mbylleshin përkohësisht duke anuluar disa fluturime. Të bllokuar në këtë situatë mbetën dhe shumë shqiptarë, të cilët ndodheshin në rajonin e Lindjes së Mesme për arsye pune apo turistike.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani tha se 28 shqiptarë janë rikthyer në shtëpi shëndosh e mirë, ndërsa po punohet për kthimin edhe të dy shtetasve të mbetur atje.
Në bashkëpunim me ambasadat dhe konsullatat, ministri Hasani tha se u mundësua kthimi i 10 nxënësve që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael dhe 5 punonjësve të Ministrisë së Turizmit me familjarët e tyre, të cilët aktualisht ndodhen në Qipro dhe pritët të mbërritjen në Shqipëri gjatë mbrëmjes së 15 prillit. Gjithashtu u mundësua kthimi edhe i 13 turistëve shqiptarë.
“Qytetarët shqiptarë, që udhëtuan javën e kaluar për arsye pune apo turistike në Lindjen e Mesme janë shëndoshë e mirë. Prej mbrëmjes së të shtunës, përmes koordinimit të pandërprerë me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, nisëm punën për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon.
10 nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, 7 prej të cilëve nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova, së bashku me 5 punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarë të tyre, kanë mbërritur në Qipro. Sot në mbrëmje të 15 qytetarët që u larguan nga Tel Aviv udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës.
Po punohet për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të dielën, ndërsa përgatitej fluturimi i radhës. Ndërkohë, 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e djeshme nga Jordania, e prej disa orësh janë pranë familjeve të tyre në atdhe.
Mirënjohje diplomatëve të Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, të cilët ndihmuan dhe asistuan qytetarët në këto orë të vështira”, shkruan Hasani.
Situata u tensionua mbrëmjen e 13 prillit, ku Irani nisi më shumë se 300 dronë për të sulmuar Izraelin, ku mbi 90 % e tyre u arritën të shkatërroheshin në ajër nga Izraeli dhe SHBA.