Tensionet në veri/ Stoltenberg: E rëndësishme që NATO ka shtuar trupat në Kosovë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka konsideruar shumë të rëndësishme shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.
I shoqëruar nga presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelenski, Stoltenberg zbuloi se mbështetja për Ukrainën, forcimi i parandalimit dhe mbrojtjes, operacionet dhe misionet e NATO-s dhe situatën në Lindjen e Mesme janë temat që do të do të diskutojnë ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.
“Ne nesër do të takohemi dhe do të trajtojmë parandalimin dhe mbrojtjen. Ne ramë dakord për planet e reja të mbrojtjes në samitin Vilnius dhe tani gjithçka ka të bëjë me zbatimin e këtyre planeve të mbrojtjes me 300.000 trupa në gatishmëri të lartë. Ne gjithashtu do të trajtojmë misionin dhe operacionet e NATO-s, duke përfshirë praninë tonë në Irak, duke ndihmuar në parandalimin e kthimit të ISIS-it, si dhe praninë tonë në Kosovë, ne kemi parë tensione të shtuara atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, deklaroi Stoltenberg në nisje të takimit të ministrave të mbrojtjes të Aleancës në Bruksel.
Pas agresionit serb në fshatin Banjskë të Zveçanit, Britani e Madhe nisi 200 trupa shtesë në Kosovë, ndërsa është paralajmëruar se do të vijnë trupa shtesë nga Rumania si dhe nga Gjermania.