Tensionet në Veri/ Zyrtari gjerman takim me Kurtin: Dënojmë sulmin kriminal dhe terrorist ndaj policisë
I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, pas takimit të tij me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se “Gjermania është në anën e Kosovës pas sulmit në Veri të vendit ditën e djeshme nga një grup i armatosur serb”.
“Dje, ne pamë një situatë të tmerrshme, dhe dua ta them në mënyrë shumë të qartë dhe e dënojmë fuqishëm sulmet kriminale dhe terroriste ndaj Policisë së Kosovës dhe jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet tona edhe ndaj fëmijëve të shërbyesve policorë të Kosovës dhe ndaj të gjithë vendit të Kosovës. Jemi këtu në solidarizim dhe qëndrojmë në anën tuaj në këtë situatë”, tha Sarrazin.
Sipas tij, “është shumë e qartë dhe e rëndësishme që në këtë situatë e rëndësishme është siguria dhe se reagimi duhet të jetë i qartë në këtë rast. Por gjithashtu duhet të jetë e qartë se nëse dëshironi ta zgjidhni çështjen e sigurisë në kohë afatgjate ne duhet të kemi një dialog të suksesshëm dhe përfshirja në dialog dhe normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një ndër gurët e themelit të zhvillimit në të ardhmen.“
Në përfundim i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se ne duhet ta vazhdojmë më tutje, të mundohemi të gjejmë një zgjidhje që të kemi një dialog të suksesshëm për normalizimi e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.