Tensionet para Kuvendit, Noka: Do tërheqim zvarrë Ramën, Ervin Hoxhën dhe Spiropalin
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka paralajmëruar kryeministrin Edi Ramën, ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha dhe kryeparlamentaren Elisa Spiropalin se opozita do t’i tërheqë zvarrë.
Duke folur për mediat pas përplasjes me policinë, Noka tha se është e paprecendentë në një demokraci që të ndërhyjnë forcat speciale të Policisë RENEA ndaj deputetëve të opozitës.
Për këtë arsye, Noka tha më tej se mosbindja civile do të gërryejë pushtetin e Edi Ramës.
“I them nipit të Enver Hoxhës, se ti mund të rrish ministër aty, mund të rrish se Enver Hoxhën e kemi tërhequr zvarrë para 34 vitesh. Ashtu do tërhiqesh zvarrë ti, Edi Rama dhe Elisa Spirogjoka. Po qe ju do të dhunoni opozitën, popullin opozitar që janë deputetët e saj.
Është e paprecendentë në një demokraci që të ndërhyjnë forcat speciale të Policisë RENEA dhe forcave të tjera speciale. Është shkelje e hapur e ligjit dhe e Kushtetutës.
Pse? Për të mbrojtur narkosin, për të mbrojtur paratë e vjedhura, për të mbrojtur një regjim që po shkatërron Shqipërinë. Mosbindja civile do gërryejë, nuk i ndalon dot. Nuk mbron dot veten as narkosi, as Elisa Spirogjoka, dhe as nipi i Enver Hoxhës. Populli do t’ua bëjë gjyqin”, u shpreh Noka.