Tentativë grabitje me armë në Lezhë / Persona të maskuar në një banesë, qëllojnë me armë, përleshen me kryefamiljarin
Një tentativë grabitjeje në Lezhë përfundoi me të shtëna me armë zjarri dhe dhunimin e një të moshuari. Ngjarja ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit të kësaj të hënë në fshatin Malecaj të Lezhës, teksa dy persona të maskuar dhe armatosur hynë në banesën e familjes Buja.
Në momentin e ngjarjes, brënda shtepisë ishte vetëm kryefamiljari Nikoll Buja, i cili sapo ka dëgjuar zhurmën është zgjuar dhe ka konstatuar grabitësit. Këta të fundit hasën në rezistencën e të moshuarit dhe u përleshën me të, duke e goditur në pjesën e kokës, ndërsa në ato momente kanë qëlluar dhe me armë zjarri, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Një prej fqinjeve të familjes Buja rrëfen ngjarjen, që sipas saj ka frikësuar të gjithë fshatin.
Grabitësit u larguan me shpejtësi pa arritur të marrin asgjë në banesën e familjes Buja. Ndërkohë, pas sinjalizimit nga banorët policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjen dhe nisën hetimet, por pa arritur të bien në gjurmët e autorëve të cilët kanë qenë dy persona.