Tentoi të vriste një person në Shkodër, ekstradohet nga Gjermania 68-vjeçari
Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar këtë të mërkurë (20 mars). Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, Gjermani, është ekstraduar drejt Shqipërisë, një 68-vjeçar i shpallur në kërkim pasi tentoi të vriste një person më 8 shkurt.
Po ashtu, është ekstraduar drejt Italisë një 29-vjeçar i shpallur në kërkim nga Gjykata e Torinos pasi akuzohej nga autoritetet italiane si pjesëtar i një grupi kriminal për trafik narkotikësh.
“Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, Gjermani, është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar: S. K., 68 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin e datës 11.02.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Shtetasi S. K. akuzohet se më datë 08.02.2024, në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin S. B. Shtetasi S. K. është lokalizuar dhe kapur në Gjermani, si rezultat i operacionit të përbashkët, të koduar “Koordinimi”.
Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë, shtetasi shqiptar:
G. H., 29 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Torinos, Itali, me vendimin e datës 09.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Grupi kriminal”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë’, thuhet në njoftim.