Tentoi t’i vjedhë bagëtitë nën kërcënimin e armës, në pranga 27-vjeçari
Një 27-vjeçar është vendosur në pranga pasi nën kërcënimin e armës ka tentuar t’i grabisë bagëtitë një shtetasi në kullotën e fshatit Nikç të Malësisë së Madhe.
Pasi policia është njoftuar për ngjarjen arriti të vendosë në pranga 27-vjeçarin të cilit iu sekuestrua një armë zjarri automatik, një krehër me municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë).
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, pas njoftimit se një shtetas nën kërcënimin e armës po tentonte t’i vidhte një shtetasi bagëtitë që i kishte për kullotë në mal në fshatin Nikç, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin G. B., 27 vjeç, banues në fshatin Vukël. Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe armën e zjarrit kallashnikov që dyshohet se ky shtetas kishte qëlluar në ajër duke kërcënuar shtetasin V. N për t’i marrë bagëtitë e imta. Gjithashtu janë sekuestruar dhe një krehër me municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë) dhe një gëzhojë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.