Tërmeti i fuqishëm në Tajvan, rritet bilanci i viktimave
Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti që goditi Tajvanin mëngjesin e kësaj të mërkure (3 prill). Nëntë persona kanë humbur jetën ndërsa mbi 900 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga tërmeti 7.4 i shkallës rihter, më i fuqishmi në 25 vjet.
127 persona kanë mbetur të bllokuar, duke përfshirë 77 persona të ngecur brenda tuneleve malore Jinwen dhe Qingshui në qarkun Hualien.
Tërmeti goditi bregun lindor të Tajvanit, duke prekur rëndë infrastrukturën në rajonin malor Hualien dhe kryeqytetin Taipei.
Tërmeti shkaktoi gjithashtu rrëshqitje dheu dhe la disa ndërtesa të mbështetura në kënde të pasigurta, duke shkaktuar “kushte ekstreme” për ekipet e shpëtimit.
Japonia ka hequr kufizimet e fluturimeve pasi shqetësimet për një cunami të mundshëm janë ulur, por autoritetet ende po paralajmërojnë vendasit të qëndrojnë vigjilentë.