“Territor i pastër”, kapen 15 mijë rrënjë, operacioni kombëtar edhe në Vau Dejës, në fokus Shllaku dhe Temali
Në Qarkun e Shkodrës po vijon intensivisht megaoperacioni policor kombëtar i koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Kontrollet nga ajri u kryen në zona me terren shumë të vështirë, me mbështetjen e helikopterit të Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes. Nga kontrollet intensive të territorit në njësitë administrative Shllak dhe Temal, nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe shërbime të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë dhe Shkodër u gjetën dhe u asgjësuan 15 547 fidanë e bimë kanabis. Sipas policisë po vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër mbetet e përkushtuar në luftën kundër kultivimit të cannabisit dhe veprimtarive të tjera kriminale që cënojnë sigurinë e qytetarëve. Policia e Shtetit inkurajon të gjithë qytetarët që të denoncojnë në njësitë fizike të Policisë dhe në numrin pa pagesë 112, çdo paligjshmëri që ata hasin.