“Territor i pastër”- Operacion antidrogë në Shkodër, sekuestrohen 97 kg kanabis
Policia e Shkodrës ka zhvilluar një operacion antidrogë gjatë kësaj javë në të gjithë qarkun në kuadër të operacionit të koduar “territori i Pastër”. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 97 kg kanabis si dhe janë asgjësuar 19 mijë fidanëve dhe 2 mijë farave kanabis.
Gjatë kontrollit të territorit me dronë janë evidentuar 11 rasteve të të kultivimit të kanabisit në vende të ndryshme të territorit të qarkut Shkodër. Gjatë këtyre rasteve janë asgjësuar 19300 fidanë kanabis të kultivuar në kubikë, vazo dhe në tokë në Malësinë e Madhe si dhe janë sekuestruar 2160 fara kanabisi.
Një tjetër rast ishte edhe sekuestrimi i 65.5 kg marijuanë e përpunuar ën formë çokollate dhe 31.5 kg kanabis në formë boçe në lagjen “Skënderbeg”.
Sipas policisë droga u gjet në një ambient të përshtatur me tunel për të fshehur lëndën narkotike. Për ngjarjen janë shpallur në kërkim N. M., 42 vjeç dhe B. M., 37 vjeç, lindur në fshatin “Ura e Shtrenjtë” dhe banues në Shkodër, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre.
Po nga hetimet rezulton se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe një grup personash të tjerë dyshohet se janë implikuar në aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së kanabisit në qarkun e Shkodrës.
Drejtori i qarkut të Policisë Shkodër, Edmond Sulaj tha se operacioni është ende në zhvillim dhe se nuk mund të jap detaje lidhur me faktin se nga vinte droga dhe se kush ishte destinacioni përfundimtar i saj.