“Territor i pastër”, rreth 2740 rrënjë kanabis asgjësohen në 24 orë
Në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, në fshatin Lohe, Malësi e Madhe, u gjetën 141 fidanë cannabis. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: P. B., 43 vjeç dhe F. GJ., 41 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”; M. B., kryetari i fshatit, dhe shtetasi A. H., specialist i pyjeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Në vijim të kontrolleve, në territorin e njësive administrative Shosh, Pult, Shkodër, u gjetën dhe u asgjësuan 2159 fidanë cannabisi, ndërsa në territorin e njësisë administrative Shllak, Vau i Dejës, u gjetën dhe u asgjësuan 438 fidanë cannabisi.Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre fidanëve kanabis. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.\