Tesla redukton kostot në mënyrë dramatike – Largohen 14 mijë punonjës, përfshirë edhe drejtues
Tesla shkurton fuqinë punëtore globale me më shumë se 10%. Në një e-mail drejtuar punonjësve, Elon Musk shpjegoi se nisma në disa raste i detyrohet dyfishimit të roleve, por mbi të gjitha nevojës për të ulur kostot. Kompania ka mbi 130 mijë punonjës në mbarë botën. Një shkurtim prej 10% potencialisht barazohet me të paktën 14 mijë punëtorë të pushuar nga puna.
“Ndërsa e përgatisim kompaninë për fazën tonë të ardhshme të rritjes, është jashtëzakonisht e rëndësishme të shikojmë çdo aspekt të kompanisë në drejtim të uljes së kostove dhe rritjes së produktivitetit”, thekson Elon Musk në një letër drejtuar punëtorëve. “Si pjesë e kësaj përpjekjeje, ne kemi bërë një rishikim të plotë të organizatës dhe kemi marrë vendimin e vështirë për të reduktuar fuqinë tonë punëtore me më shumë se 10% globalisht,” vazhdon ai.
Aksionet e Tesla kanë humbur 31% që nga fillimi i vitit, për shkak të rënies së kërkesës për makina elektrike dhe konkurrencës së ashpër nga rivalët kinezë. Kohët e fundit, Tesla raportoi se regjistroi rënien e parë vjetore të dërgesave të automjeteve që nga viti 2020, kur Covid-19 frenoi prodhimin dhe shitjet.
Tesla raportoi këtë muaj se dërgesat globale të automjeteve në tremujorin e parë ranë për herë të parë në gati katër vjet pasi ulja e çmimeve nuk arriti të nxisë kërkesën.
Prodhuesi i automjeteve elektrike ka qenë i ngadaltë në rinovimin e modeleve të vjetra pasi normat e larta të interesit kanë ulur oreksin e konsumatorit për artikuj të shtrenjtë, ndërsa rivalët në Kinë, tregu më i madh i makinave në botë, po nxjerrin në treg modelet më të lira.
Tesla kishte anuluar nxjerrjen në treg të një makine të përballueshme të premtuar prej kohësh, të cilën investitorët po E prisnin për të nxitur rritjen e tregut masiv. Musk e mohoi raportin, por nuk identifikoi ndonjë pasaktësi specifike. Tesla kishte pushuar më parë 4% të fuqisë punëtore në Nju Jork në shkurt të vitit të kaluar, si pjesë e një raundi rishikimesh të performancës.