Tetori muaji i letërsisë / “Fjalë pas fjale” është motoja e këtij viti nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit
Muaji tetor është konsideruar ndryshe edhe si muaji i letërsisë, kjo pasi në këtë muaj kanë lindur disa nga personalitetet më të spikatura të letrave shqipe si: Gjergj Fishta, Migjeni dhe Dritëro Agolli. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka shpallur moton e këtij muaji “Fjalë pas fjale” ndërsa çdo aktivitet letrar i zhvilluar përgjatë këtij muaji synon të sensibilizojë dhe të ndërgjegjësojë çdo person të jetë më afër librit, duke lexuar më shumë dhe duke plotësuar në këtë mënyrë edhe bibliotekën personale të gjithsecilit.
Aktiviteti letrar “Varg festival” i zhvilluar pak kohë më parë kishte një tur ndalesash në disa nga qytetet kryesore të vendit, mes të cilave edhe Shkodrën. Zhvillimi i saj për tre netë në oborrin e Muzeut Historik të qytetit tregoi sa i rëndësishëm është zhvillimi i aktiviteteve të tilla që afrojnë më shumë lexuesin me librin në kushtet kur teknologjia dhe rrjetet sociale kanë pushtuar thuajse çdo sektor të jetës sonë.
Në Shkodër aktivitetet dedikuar librit kanë qenë të vazhdueshme jo vetëm sa i përket takimeve autoriale shoqëruar me botime të reja por pjesë e tyre është edhe zhvillimi i Festivalit Letrar, një aktivitet me rëndësi i organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti” prej 15 vitesh ndërsa ky vit do të shënojë edicionit të 16 të organizimit të tij. Tetori i librit në vendin tonë i paraprin edhe panairit të nëntorit që zhvillohet në kryeqytet prej më shumë se një dekade.