Teza e saj e masterit rezultoi plagjiaturë, jep dorëheqjen Ministrja e Shëndetësisë në Norvegji
Ministrja e Shëndetësisë dhe Shërbimeve të Kujdesit të Norvegjisë, Ingvild Kjerkol, dha dorëheqjen të premten pasi teza e saj e masterit u revokua për plagjiaturë. “Për të vazhduar si ministre e Shëndetësisë duhet të jem një person i besueshëm. Unë do ta lë këtë punë fantastike”, u tha ajo gazetarëve në një konferencë për shtyp.
Sipas gazetës norvegjeze Aftenposten, kryeministri Jonas Gar Stort tha se do të ishte e vështirë për të që të vazhdonte në këtë post dhe se ai “vendosi që ajo të largohej”.
Akuzat për plagjiaturë u shfaqën për herë të parë në fund të janarit. Në vend që të jepte dorëheqjen menjëherë, ajo preferoi të priste një vendim nga Universiteti Nord, i cili tha se do ta rishqyrtonte diplomën e saj.
Presioni u rrit kur u zbulua në shtypin norvegjez se një komision që shqyrtonte tezën e saj e kishte revokuar atë për plagjiaturë.
Ajo është ministrja e dytë norvegjeze që jep dorëheqjen këtë vit pasi u përball me akuzat për plagjiaturë në punën e saj akademike.
Në janar, Sandra Borch e Partisë Agrare dha dorëheqjen si ministre e arsimit të lartë pasi një studente zbuloi në rrjetet sociale se kishte plagjiaturë pjesë të mëdha të tezës së saj të magjistraturës në shkencat juridike./ CNN.gr