Thethi në “National Geographic Travel”/Media prestigjoze rendit Shqipërinë në mesin e 30 destinacioneve për vitin 2024
Media e njohur ndërkombëtare “National Geographic Travel” ka listuar 30 destinacionet më të bukura për t’u vizituar përgjatë vitit 2024, mes tyre edhe Shqipërinë. Madje vendi ynë renditet si sugjerimi i parë nga prestigjozja e famshme e udhëtimeve në botë. Duke e renditur në vendin e parë që duhet vizituar në Evropë, revista e njohur e cilëson “si një arratisje të egër drejt yllit në ngjitje të Evropës” përvojën e të udhëtuarit në Shqipëri gjatë vitit 2024.
Në artikullin e botuar nga “National Geographic Travel” i kushtohet një vëmendje kryesore Alpeve Shqiptare duke përmendur në mënyrë të veçantë Thethin. Mes të tjerash theksohet se “udhëtarët, që kërkojnë diçka më ndryshe nga aventurat e tyre të mëparshme evropiane po shikojnë gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë. Vendi ballkanik po tërheq një numër në rritje vizitorësh falë brigjeve të tij në Adriatik dhe Jon, të kaluarës intriguese osmane dhe komuniste dhe skenës relativisht të sapolindur të turizmit”.
Më tej media prestigjoze vijon: “Të zhytura në brendësi të veriut, Alpet Shqiptare janë një e pjesë e rëndësishme e turizmit shqiptar. Bjeshkët e Nemuna, kjo mbretëri e majave të thepisura karstike është një ëndërr për alpinistët, ku rrëqebujt enden nëpër pyjet e bredhit dhe lulet e egra mbulojnë sipërfaqen e luginës. Ata që kërkojnë të eksplorojnë shtigjet sfiduese të rajonit mund të bëhen pjese e një turneu tetëditor, i cili ofron një itinerar që përfshin udhëtime nëpër shtigjet malore, shtëpitë tradicionale dhe një vizitë në fshatin e Thethit, duke përfshirë edhe ecje në Majat e Ballkanit. Shqipëria është gjithashtu më e aksesueshme se kurrë falë një sërë linjash të reja ajrore”, thuhet ndër të tjera në artikull.
Viti 2023 regjistroi një rekord historik sa i përket vizitorëve që zgjodhën vendin tonë si destinacion turistik, plot 9 milion të tillë ose 32% më shumë turistë se vitin e kaluar. Kjo rritje u konfirmua edhe nga shifrat zyrtare, të cilat tregojnë se gjatë muajit tetor vendi ynë u vizitua nga 89% më shumë turistë të huaj se një vit më parë.