Thyhet bojkoti, studentët e vitit të parë të Mjekësisë futen në mësim. Vitet e tjera vijojnë rezistencën
Studentët e vitit të parë në Mjekësi janë futur në klasa për të vijuar me procesin mësimor, duke thyer bojkotin e vijuar prej javësh, në kundërshtim të ligjit që i detyron ata të punojnë në Shqipëri për disa vite, ose të paguajnë tarifën e plotë të studimit, për të tërhequr diplomën.
Gazetarja eRTSH-së, Sonila Mlloja bën me dije se ata janë futur në klasa që ditën e djeshme (23 tetor), ndërsa shprehen se duan të vijojnë normalisht me mësimin. Nga ana tjetër, studentët e viteve të tjera vijojnë me bojkotin, duke refuzuar të futen në klasa.
Prej më shumë se tre javësh studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë bojkotuar mësimin, në kundërshtim të ligjit që i detyron ata të punojnë deri në 5 vite në Shqipëri përpara tërheqjes së diplomës. Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë përcaktoi koston prej 2500 eurosh në vit për studentët të cilët përfundojnë studimet dhe duan të tërheqin diplomën pa qenë nevoja të punojnë në Shqipëri.
Studentët dorëzuan më 19 tetor në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë padi për anulimin e ligjit që i detyron ata të punojnë për 5 vite në Shqipëri.