Tjetër ditë “jo” për volejbollin shkodran – Pas humbjes me Partizanin, dy ekipet kuqeblu humbin edhe me Tiranën
Volejbolli shkodran prej dy javësh nuk njeh fitore. Javën e kaluar dy ekipet e Vllaznisë, femra dhe meshkuj u mundën në shtëpi nga ekipet e Partizanit, ndërkohë që këtë javë, që ishte e pesta për Kampionatin Kombëtar të Superligës, bënë të njëjtën gjë duke u mundur respektivisht nga dy ekipet e Tiranës. Ekipi i femrave i drejtuar nga trajnerja Nora Deda u mund me rezultatin 3 me 0. Seti më rivalizues ka qënë i pari, ku Vllaznia, ka arritur të jetë e barabartë deri në dy pikët e fundit të setit, ku rezultati u barazua në shifrat 23 me 23, por që dy pikët e fundit realizohen nga volejbollistet bardheblu duke fituar 25-23. Në dy setet e tjera, sidomos në të dytin, i cili u mbyllë me shifrat 25-12 për Tiranën, si dhe i treti 25-19 po për Tiranën, Vllaznia dorëzohet duke u mundur me rezultatin 3-0. Me humbje e ka mbyllur edhe Vllaznia e meshkujve, por në ndryshim nga femrat, skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja ka arritur të marrë një set, atë të dytin 20 me 25, sepse tre të tjerët fitohen nga Tirana. Përkatësisht, seti i parë me shifrat 20 me 25, i treti thellësiësht 25-15, si dhe i katërti 25-21 dhe të gjithë ndeshjen, 3-1. Pas javës së pestë, Vllaznia e volejbollit femra renditet në vendin e fundit të klasifikimit me vetëm 3 pikë, po aq sa ka edhe Barleti dhe Pogradeci. Me tre pikë në renditje është edhe ekipi i meshkujve dhe mban vendin e pestë duke lënë pas Teutën me 2 dhe Elbasanin me 0 pikë.