Tokat e papunuara, e gjithë fusha e Oblikës në mëshirë të fatit
Ndonëse në korrik të 2012-s u miratua një VKM që u jep të drejtë komunave që të ndërhyjnë në rastin kur tokat bujqësore nuk punohen, asnjëherë nuk është zbatuar ky vendim.
Zona e Anës së Malit në Bashkinë Shkodër, është njohur për resurse të shumta duke nisur nga prodhimtaria bujqësore e deri tek artizanati. Sot realiteti flet ndryshe, me dhjetëra hektarë toka në fushën e Oblikës janë të papunuara. Eshtë pikërisht periudha e shumë proceseve bujqësore, por interesi i fermerëve për të punuar është i ulët. Pothuajse pjesa më masive e fushave në zonën e Nënshkodrës , në pjesën e Anës së Malit vijon të jetë djerrë. Sipas banorëve, arsyet përse këto toka lihen pa punuar janë disa, goditja që iu dha përmbytja si edhe emigracioni i të rinjve. Nga një fushë pjellore, fusha e Oblikës është kthyer në një moçal. Kjo po ndikon negativisht edhe në jetesën e banorëve të këtyre zonave, të cilët kanë si burim të të ardhurash vetëm nga bujqësia dhe blegtoria.