“Topi i Artë 2021”, Prokuroria e Parisit heton ryshfetet e PSG-së për “L’Equipe”
Prestigjozia “Le Monde” ka bërë publike sot disa dokumente të Prokurorisë së Parisit, të cilat evidentojnë se sa shumë ka influencuar PSG-ja në vlerësimet e jurisë për akordimin e çmimit prestigjoz “Topit të Artë” në 2021-n.
Sipas prokurorëve, mes vitit 2020 dhe 2021 kryeredaktori i “L’Equipe” në atë kohë, Paskal Ferr, ka përfituar një seri të mirash materiale nga ana e klubit të PSG-së. Për prokurorët klubi me pronarët nga Katari ka lobuar fort për të shpallur Mesin fitues të çmimit prestigjoz.
“Le Monde” tregon se nga materialet e Prokurorisë hijet e dyshimit bien mbi gjashtë entitete. I pari është presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaïfi, i cili njihet me nofkën “NAK”. Protagonist në këtë çështje është edhe lobisti franko-algjerian Tayeb Benabderrahmane. Gjithastu nën hetim është edhe ish-oficeri i ani-terrorizmit Malik Nait-Liman, i cili në vitet e fundit është punësuar pranë klubit të kryeqytetit të Francës. Në hetim figuron edhe Zhan-Marsial Rib, i cili ka mbajtur në klub për disa vite (2017-2022) postin e drejtorit të Zyrës për mediet. Gjithashtu nën hetim është edhe Qatar Sports Investments (QSI), fondi nëpërmjet të cilit Katari zotëron PSG-në.
Nga hetimet rrezulton se Rib ka qenë në kontakt me shumë gazetarë, plitikanë, aktorë, ministra dhe punonjës në presidencë pasi u ka dhënë bileta për të asistuar në stadium. Ai ka ndërtuar raporte miqësore me disa perosna me influencë, të cilët në këmbim kanë kryer shërbime për Rib.
Mes tyre figuron edhe emri i kryeredaktorit të “L’Equipe”, Ferr. Sipas hetuesve marrëdhënia mes Rib dhe Ferr ka qenë e fortë. Në 2019-ën Rib i ka kërkuar Ferr që të heqë nga faqja e “L’Equipe” një lajm sipas së cilit “NAK” kishte paguar deri në 2 milionë euro si komision një menaxheri të një futbollisti.