Tradita e mëndafshit në Dajç të Lezhës, profesioni trashëgohet te brezat e rinj
Prodhimi i mëndafshit në mënyrën tradicionale duke trajtuar krimbin e mëndafshit do të vijojë në Dajç të Lezhës.
Lejla Shehu Bejleri, e vetmja që ka trashëguar dhe vijuar prej më shumë se 50 vitesh, ciklin e rritjes në kushte shtëpie të krimbit të mëndafshit duke mos e lënë këtë specie të humbiste, e ka transferuar të gjithë dijen dhe eksperiencën e saj tek Franceska Pjetraj, nje artizane e re nga Dajçi i Lezhës.
Lejla thotë se e ndjente detyrim moral qe ta trashëgonte dijen e saj. “Duke qenë se isha e fundit që e kisha këtë vazhdimësinë, ishte shumë e vështirë që ta mbyllja fare që të mos ekzistonte”, th ajo.
Ky kalim është bërë përmes një ceremonie të veçante të mbajtur në Lezhë dhe ku janë prezantuar vlerat e kësaj fijeje të rëndësishme për prodhimet e veshjeve, kryesisht në Zadrimë.
Rritja e krimbit të mëndafshit është një sfidë për vazhdimësinë, por Franceska Pjetraj, artizania që tashmë e trashëgoi këtë teknike, shpreson të mos mbetet e vetme në këtë rrugëtim. “Shpresoj që mos të jem vetëm në këtë rrugëtim pasi tradita është shumë e rëndësishmë për kulturën tonë”, tha Pjetraj.
Për kontributin e dhënë në ruajtjen e vlerave të trashëguara dhe përcjelljen më tej të traditës së prodhimit të mëndafshit në zonën e Zadrimës, Bashkia e Lezhës i ka akorduar Lejla Shehu Bejlerit certifikatën e mirënjohjes që i është dorëzuar nga nënkryetarja e Eueda Molla.