Trafik armësh nga Shkodra në Tiranë, arrestohen 5 të rinjtë, sekuestrohen pushkë e automatikë
Pesë persona janë arrestuar nga Policia pasi trafikonin armë zjarri nga Shkodra drejt Tiranës.
Sipas informacioneve nga uniformat blu, bëhet me dije se pesë të arrestuarit, banues në Malësi të Madhe, kishin për qëllim shitjen e armëve te persona të tjerë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “BMW” me drejtues 26-vjeçarin e arrestuar, dhe gjatë kontrollit të mjetit në një valixhe në bagazh, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 armë zjarri (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krehër e municion luftarak.
“Si rezultat i tij në një parking në Rrugën e Rinasit, u kapën dhe u arrestuan shtetasit:
– S. H., 22 vjeç, R. N., 18 vjeç, D. H., 22 vjeçe, D. H., 18 vjeç, dhe M. H., 26 vjeç, të gjithë banues në Malësi të Madhe.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “BMW” me drejtues shtetasin M. H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe në një valixhe në bagazh, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 armë zjarri (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krëhër e municion luftarak.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas pasi i kishin siguruar armët në Shkodër, i kishin sjellë në Tiranë për ti shitur tek persona të tjerë”, thuhet në njoftim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Aksioni “Repishti” është përgëzuar edhe nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili theksoi se goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë, apo ndalimi i personave që qarkullojnë me armë, janë detyra kryesore e uniformave blu.
“Policia e Shtetit vijon të godasë sistematikisht fenomenin e armëmbajtjes pa leje, i cili mbetet burim për ngjarje kriminale. Goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë apo ndalimi i shtetasve që qarkullojnë me armë janë detyrë kryesore e Policisë. Falë hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë është identifikuar dhe ndalur një grup kriminal prej pesë personash, të cilët trafikonin armë zjarri dhe municione nga Shkodra drejt Tiranës”, shkruan Balla në rrjetin social Facebook.