Trafik heroine nga Shqipëria drejt Italisë, kapet 46-vjeçari. Do ekstradohet për në vendin fqinj
Policia ka arrestuar një 46-vjeçar i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për trafikim të heroinës. Sipas policisë, 46-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal që vepronte në Itali, për trafikim të Heroinës.
I shumëkërkuari është kapur në Kavajë dhe do të ekstradohet për në Itali aty ku gjykata e Katanzaros i ka caktuar masën arrest me burg për “pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
“Gjatë operacionit, u lokalizua në Kavajë, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar S. G., 46 vjeç. Gjykata e Katanzaros, Itali, më datë 04.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, grupi kriminal ku merrte pjesë 46-vjeçari, dyshohet se gjatë periudhës 2013-2018, ka trafikuar drejt Italisë, sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë.