Trafik i rënduar në qytet – Mungesa e parkingjeve dhe mos zbatimi i sinjalistikës krijojnë kaos në disa akse

Rikthimi në punë pas fundjavës së zgjatur për shkak edhe të pushimeve në festën e Fiter Bajramit, ka rikthyer edhe trafikun e rënduar veçanërisht në qendër të qytetit të Shkodrës.
Rritja e numrit të automjeteve, punimet e hapura në disa segmente, mungesa e vendparkimeve që sjell edhe parkim dysh në disa akse, janë arsyet më të shpeshta që Shkodra po njeh një trafik të dendur gjatë këtij fillim muaji.
Pothuajse në të gjitha rrugët kryesore është krijuar një trafik i rënduar, duke bërë që të krijohen rradhë të gjata automjetesh, ku përjashtim nuk kanë bërë as ambulanca apo mjete të tjera të urgjencës.
Më shqetësuese situata paraqitet gjatë orëve të paradites, por edhe gjatë mbrëmjes.
Policia rrugore është e nevojshme të rrisë gatishmërinë në terren, por edhe të kontrollojë parkingjet dyshe e treshe, si dhe të shtojë edhe vigjilencën, me qëllim që të garantojë qarkullim më të sigurtë për të gjithë drejtuesit e automjeteve, si dhe të lehtësojë fluksin e madh të automjeteve në qytetin e Shkodrës.