Trafik narkotikësh/ Merr fund arratia e 3 shqiptarëve në Itali, GJJKKO sekuestron pasuri mbi 1 mln euro
Ka marrë fund arratia e tre shqiptarëve të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Highway” të iniciuar që prej 2017-ës.
Tre shqiptarët janë arrestuar nga autoritetet italiane, ndërsa strukturat hetimore të Policisë së Shtetit kanë gjurmuar dhe kanë sekuestruar në Durrës, pasuri të ndryshme, me vlerë mbi 1 milion euro që këta 3 persona dhe familjarët e tyre, kishin në pronësi.
“Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga specialistët e këtij Sektori, me partnerët italianë, u bë i mundur lokalizimi në Milano, dhe vënia në pranga nga Policia italiane, e 3 shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar: E. B., 32 vjeç, S. T., 43 vjeç dhe D. B., 44 vjeç. Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Highëay”, të iniciuar në Itali, në vitin 2017, këta shtetas akuzohen si pjesëtarë të një grupi kriminal me veprimtari në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Mbi bazën e kësaj akuze, si dhe në zbatim të vendimit nr. 395, të datës 05.10.2023, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u gjurmuan dhe u sekuestruan në Durrës, pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të këtyre shtetasve dhe familjarëve të tyre. Këto pasuri, me vlerë mbi 1 milion euro, dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 3 shtetasve të vënë në pranga”, thuhet në njoftim.
GjKKO-ja ka caktuar masën “Sekuestro preventive”, për 2 shoqëri tregtare me objekt fushën e peshkimit, së bashku me asetet e tyre, aktivitetet tregtare të 3 subjekteve fizike, së bashku me asetet e tyre, 1 anije peshkimi, 1 apartament, 1 garazh, 1 njësi shërbimi bar-kafene dhe 3 njësi të tjera shërbimi të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.