Trafikonte emigrantë dhe shkaktoi vdekjen e 7 prej tyre, arrestohet pas 3 muajsh organizatori
Ka marrë fund arratia e 24-vjeçarit të shpallur në kërkim, si organizator i transportimit të 7 emigrantëve të paligjshëm të cilët humbën jetën si pasojë e aksidentit fatal në aksin Këlcyrë-Përmet.
24-vjeçari i arrestuar sot në Shkodër, ishte në kërkim, pasi më 2 prill, teksa po transportonte me mjetin tip BENZ shtatë emigrantë nga Pakistani drejt vendeve të BE-së, u përplas me një tjetër automjet, e për pasojë drejtuesi i këtij të fundit së bashku me 7 emigrantët humbën jetën.
Pasi është pikasur nga blutë e Shkodrës, 24-vjeçari ka tentuar të largohet me motomjetin me të cilin lëvizte.
“Si rezultat i kërkimeve të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe koordinimit të punës me shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, me qëllim kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për rastin e datës 02.04.2024, kur në një aksident rrugor, në aksin “Këlcyrë-Përmet”, humbën jetën 8 shtetas, 7 emigrantë nga Pakistani dhe drejtuesi i automjetit me të cilin transportoheshin ata, në kundërshtim me ligjin, u mundësua lokalizimi në Shkodër, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit S. N., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Për këtë shtetas Prokuroria e Gjirokastrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, kundrejt pagesës, ka organizuar në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (drejtuesin e automjetit, i cili humbi jetën në aksident, dhe me shtetasit A. Gj. dhe R. D., të cilët u arrestuan më datë 03.04.2024), transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, me destinacion shtetet e BE-së”, thuhet në njoftim.
24-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.