Tragjedia e familjes Arrazi kthen në ditë zie festën në Shkodër, qytetarët hedhin lule nga ura e lumit Buna
Qyteti i Shkodrës do të duhej të festonte sot ditën e luleve, por ky 6 maj u zëvendësua nga morti, në vend të festës. 9-vjeçarja Eriselda Arrazi u përcoll sot për në banesën e fundit, ndërsa ende vijojnë kërkimet në lumin Buna për trupat e nënës së saj, motrës 8 vjeçe dhe vëllait 3 vjeç.
Në kujtim të tyre, qytetarët e Shkodrës kanë hedhur lule nga ura e vjetër e lumit Buna, ndërsa zv.kryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza i ka bërë thirrje grave dhe vajzave që të denoncojnë rastet e dhunës.
“Jemi sot të gjithë bashkë në këtë ditë në kërkim të disa luleve që u shkëputën tragjikisht nga jeta. Në Shkodër është bërë traditë që të festohet 6 maji me fëmijë, lule, këngë e recitime, por sot e i mungonte diçka shpirtërore këtij gëzimi. Është ky kërkim që vazhdon ende të bëhet sepse ende nuk janë gjetur 3 trupa. E kemi Eriseldën të gjetur pa jetë e cila sot përcillet për në banesën e fundit dhe ndihem shumë e trishtuar. Lutem që Eriselda të pushojë në paqe dhe nëna me dy fëmijët e tjerë të gjendjen dhe ne të mos kemi më të tilla ngjarje.
Dhuna po përsëritet rëndomë duke na marrë jetë e duke na plagosur zemrat, sidomos ne grave. I bëj thirrje të gjitha grave, vajzave dhe fëmijëve që shohin dhunës mes prindërve, mos heshtni, jo kur është vonë. Nuk mjafton t’i qani e kujtoni, duhet të ndërhymë dhe të ankohemi në instancat e caktuara”, u shpreh ajo.
Trupi i pajetë e 9-vjeçares u gjet ditën e djeshme në lumin Buna, teksa dyshohet se janë vetëmbytur edhe nëna e saj, 39-vjeçarja Alma Arrazi sëbashku me 2 fëmijët e tjerë. Paraprakisht dyshohet se dhuna në familje është bërë shkak për ndërmarrjen e një akti të tillë tragjik, megjithatë ka ende paqartësi lidhur me këtë ngjarje.
Policia ka vënë në pranga bashkëshortin e 39-vjeçares, Ergus Arrazin. Ky i fundit ka mohuar të ketë ushtruar dhunë mbi bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa ende vijojnë kërkimet për trupin e Alma Arrazit dhe dy fëmijëve të saj.