Transporti i mbetjeve të rrezikshme, Rama: Opozita shpif, hetimet do japin përgjigjen përfundimtare
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës mbi transportin e mbetjeve të rrezikshme që pretendohet të kenë kaluar përmes portit të Durrës me destinacion Tajlandën dhe Kinën.
Ai i ka cilësuar akuzat e opozitës si shpifje ndërkohë që sipas tij, prokuroria shqiptare dhe OLAF po vijojnë hetimet për të dhënën përgjigjen përfundimtare.
“Ndërsa prokuroria shqiptare dhe OLAF po vijojnë hetimet, goja e pangishme e politikës së urrejtjes ka ngritur akuzat dhe ka caktuar fajtorët.
Akuzat janë ekstreme dhe fajtorët janë kriminelët e regjimit imagjinmar me mua në krye që me këtë rast jam vënë nën akuzën 1315 duke llogaritur se qysh se ajo gojë shumë tellallshe është marrë me mua që kur kam hyrë në politikë më është bërë si rregull; 1 akuzë në javë. Tellallët janë shpallur shpifës nga gjykata me vendim të formës së prerë dhe gjyqet vazhdojnë”, u shpreh Rama në fjalën e tij në Kuvend, pas interpelancës së kërkuar nga Gazment Bardhi.
Duke iu referuar dy rasteve të transportit nga Elbasani dhe Kosova në drejtim të Tajlandës dhe Kinës përmes portit të Durrësit, kryeministri Rama shpjegoi se në këto transporte nuk kemi të bëjmë me mallra të rrezikshme pasi janë certifikuar edhe nga vendet e BE-së që kanë shërbyer si pika tranziti për të vijuar më pas për në destinacion.
“Por këtu kemi të bëjmë me ndjeshmërinë e shqiptarëve kur iu flitet për mbetje të rrezikshme nga ku po dëmtohet edhe shëndeti i Kinës, kam detyrimin që të sjell faktet e thjesht pastaj vetëm hetimi në vazhdim mund të japë një përgjigje konkrete dhe përfundimtare për këto 2 raste të përfolura.
A është bërë transporti i mbetjeve të rrezikshme?
Transporti i mallrave në fjalë nuk është eksport i mbetjeve të rrezikshme. Në të dyja rastet, të atij nga Elbasani drejt Tajlandës përmes Durrësit dhe atij të Kosovës drejt Kinës po përmes Durrësit, mallrat e deklaruara janë transportuar drejt vendeve evropiane me të gjithë dokumentacionin përkatës përmes linjave ndërkombëtare. Kanë qëndruar në vendet e BE-së ku askush nuk i ka penguar dhe më pas janë lejuar të vijojnë normalisht itinerarin e tyre”, tha më tej Rama.