Trashëgimi mbi një shekullore / Koleksionisti Ndoc Shaben ka krijuar një hapësirë me artefakte të zonave të veriut
“Takim me historinë”, kështu mund të perifrazohet ndjesia që të krijon hapësira e mbushur me artefakte mbi njëshekullore e ideatorit të saj Ndoc Shaben në fshatin Plezhë, 14 km larg Shkodrës. Në të gjenden makina shkrimi, radio, gramafonë e shumëçka tjetër. Zotëruesi i tyre, thotë se ideja për të krijuar një oaz të tillë lindi 10 vite më parë.
Në këtë mjedis me karakter muzeal gjenden veshje të zonës së Zadrimës dhe të trevave të tjera të veriut, mes tyre dhe xhubleta.
Qëllimi i krijimit të kësaj hapësire është që ajo të shndërrohet në muze të mirëfilltë, por për realizimin e tij i duhet mbështetje, të cilën nuk e ka gjetur.
Pasionin me të cilin ka krijuar këtë ambient, koleksionistit me origjinë nga Hoti i Malësisë së Madhe, Ndoc Shaben i dallohet qartë. Ai shpreson që një ditë një pasuri e tillë e trashëgimisë kulturore të bëhet lehtësisht e vizitueshme për këdo brenda një mjedisi dinjitoz.