Tre shtetas rrezikojnë mbytjen/ Velipojë dhe Shëngjin, policia kufitare në ndihmë
Tre shtetas kanë rrezikuar mbytjen këtë të mërkurë në Shëngjin dhe Velipojë. -Shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin iu shkuan në ndihmë 2 shtetasve që rrezikuan të mbyteshin pasi mjetet e tyre lundruese (pedalone) ishin larguar shumë nga bregu, për shkak të erës së fortë. Pas marrjes së njoftimit të 2 shtetasve që po lundronin me pedalone, në plazhin e Shëngjinit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e tyre. Pas kërkimeve me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, janë konstatuar rreth 3 milje larg bregut, 2 mjetet lundruese pedalone dhe 2 drejtuesit e tyre.
Po ashtu një njoftim se disa persona po rrezikonin mbytjen në Velipojë ka vënë në alarm policinë kufitare. -Shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër i kanë shkuar në ndihmë një shtetasi që ishte në rrezik mbytjeje për shkak të dallgëve të larta, në plazhin e Velipojës. Pas ndërhyrjes së shpejtë, shërbimet e Policisë e kanë nxjerrë në breg këtë shtetas dhe i kanë dhënë ndihmën e parë. Ai ka falënderuar punonjësit e Policisë, për ndërhyrjen e shpejtë dhe ndihmën që i ofruan.Edhe në këtë mbyllje të sezonit turistik mungesa e rojeve bregdetare po vë në vështirësi çdo ditë jo vetëm pushuesit të cilët kanë zgjehdur muajin shtator për të pushuar por edhe vetë uniformat blu të cilat kanë shtuar sistemin alert në mënyrë që të jenë sa më pranë çdo turisti i cili kërkon ndihmë.