Tre të arrestuar, një i proceduar / Situata e rendit publik sipas komunikatës së DVP Shkodër
Dhuna në familje vijon të jetë shqetësuese me rastet thuajse të përditshme. Më i fundit, ai i një shtetasi 38 vjeçar nga Puka. Sipas uniformave blu, ai ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij në fshatin Lumzi. Për këtë arsye, pas denoncimit, I riu është vënë në pranga nga policia.
Të përditshme janë edhe rastet e drejtuesve të mjeteve në gjendje të dehur. Policia e Shkodrës bën me dije se ka vënë në pranga një 23- vjeçar nga Dobraçi. Sipas uniformave blu, ai u prangos duke drejtuar makinën e tij në gjendje të dehur.
Po ashtu, një shtetas 64- vjeçar nga Durrësi, është vënë në pranga. Ai rezultonte i shpallur në kërkim nga policia e qytetit bregdetar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Veprimet e mëtejshme procedurale me këtë shtetas, do të kryhen nga Komisariati i Policisë Durrës.
Për një shtetas 62 vjeçar nga Bardhaj, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë. Nga kontrollet dhe verifikimet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, u konstatua se kishte ndërhyrje në matësin e energjisë elektrike, në banesën e tij.