Tregtonte produkte ushqimore të skaduara, AKU gjobit një biznes dhe sekuestron mallin
Kalimi i afatit të përdorimit të disa produkteve ushqimore, por që vazhdonin të tregtoheshin, i ka kushtuar rëndë një subjekti tregtar, i cili është gjobitur me 500 mijë lek.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se ka bllokuar disa produkte ushqimore, të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit.
Sipas AKU-së, pavarësisht se produktet mbaheshin në kushte të përshtatshme higjeno-sanitare, produkteve u kishte kaluar afati i përdorimit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar për rastin në fjalë duke iu referuar një denoncimi nga qytetarët.
“Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e një subjekti ka rezultuar se aktiviteti ushtrohej në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe produktet ushqimore ruheshin sipas natyrës së tyre në kushte frigoriferike dhe rafte. Por nga verifikimi i produkteve ushqimore u konstatuan 20 kg produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi të llojit, sallamra, biskota, cornflakes, ëmbëlsira, brumëra, fruta të ngrira, gjalpë, kos dhe 8 litra produkte qumësht, vaj ulliri dhe majonezë të markave të ndryshme. Gjithashtu subjekti nuk dispononte një sistem efikas gjurmueshmërie të produkteve ushqimore dhe nuk implementon planin e vetëkontrollit HACCP.”, thuhet në njoftimin për shtyp të AKU-së.
Nga trupa inspektuese u krye bllokimi i menjëhershëm i kësaj sasie në subjekt me detyrim asgjësimin e tyre sipas legjislacionit në fuqi, si dhe u mor masa administrative me gjobë në vlerën e 500.000 lekëve.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje OBU-ve të jenë të kujdesshëm në verifikimin e datave të skadencave të produkteve ushqimore, si një masë shumë e rëndësishme për sigurinë ushqimore të konsumatorëve, gjithashtu inkurajon konsumatorët të denoncojnë çdo rast apo tentativë abuzimi pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, përfundon njoftimi për shtyp i AKU-së.