Tritoli në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Policia: 30 mijë euro shpërblim kush informon për autorin

Policia e Shkodrës ka kërkuar bashkëpunimin me qytetarët për identifikimin dhe kapjen e autorit që vendosi tritol në derën e banesës së gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj. Duke u cilësuar si një sulm ndaj drejtësisë dhe intimidim të saj, polica ka vendosur 30 mijë euro shpërblim për çdo qytetarë që ka informacion dhe ndihmon në kapjen e autorit.
“Krahas veprimeve intensive të grupit hetimor, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e shtetasit që shfaqet në pamjet filmike të sekuestruara.
Për çdo informacion të vlefshëm që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të rastit, DVP Shkodër vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.
Kushdo që ka informacion duhet ta dërgojë në numrin 069 41 05 436. Policia e Shtetit iu garanton anonimat të sigurt”, thuhet në njoftimin e policisë së Shkodrës.
Policia po kontrollon kamerat e sigurisë për identifikimin e autorit, i cili u shfaq nme rroba të errëta dhe u largua përmes rrugicave pas vendosjes së tritolit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 28 prill në orën 03.00 të mëngjesit, ku autori la një sasi tritoli në derën e banesës së gjyqtarit, shpërthim që shkaktoi vetëm dëme materiale.
Ky sulm u dënua nga KLGJ dhe BE duke u cilësuar si “intimidim i drejtësisë dhe vendimeve të saj”. Një ditë më parë (29 prill) KLGJ vendosi të jap mbrojtje për 6 muaj për gjyqtarin Tonin Sterkaj.